Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X lidhur me protestën e dhunshme dhe plagosjen e 28-vjeçarit nga Elbasani, Erjon Vishkulli, i cili është nisur drejt Italisë për trajtim të specializuar.
Rama dënon dhunën dhe akuzon organizatorët e saj për nxitje të protestuesve, ndërsa thekson se është angazhuar personalisht për sigurimin e kurimit dhe transportit të të riut drejt Italisë.
Në reagimin e tij, kryeministri shprehet se përgjegjësit për dhunën do të mbajnë përgjegjësi dhe paralajmëron se, sipas tij, shqiptarët nuk do t’ua falin këto akte.
Reagimi i Edi Ramës:
Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje
Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!
Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur




